Fëmijët e grupmoshës 3 deri 5 vjeç zhvillojnë koncentrimin, koordinimin e lëvizjeve, shqisat, kujdesin për veten dhe mjedisin, koncepte bazike në Matematikë, Gjuhë, Shkencë, e Muzikë, dhe pavarësimin gradual dhe të shëndetshëm.
Lëndët dhe Programi
Gjuhë dhe Lexim
Me synim zhvillimin e mëtutjeshëm të aftësive gjuhësore, bashkë me fëmijët angazhohemi të mësojmë shprehje të reja dhe mënyrën e përdorimit të drejtë të fjalorit për të ndarë idetë, qëndrimet dhe botën imagjinare me fëmijët dhe të rriturit e tjerë. Me fëmijët realizojmë edhe aktivitete përmes së cilave ata mësojnë të njohin dhe dallojnë shkronjat, si dhe të mësojnë të shkruarit e shkronjave të emrit të tyre, si dhe përemrat vetor. Për më shumë, në kuadër të aktiviteteve për fushën e gjuhës, fëmijët stimulohen në intepretimin e tregimeve dhe ngjarjeve ose përvojave të tyre me përshkrime adekuate, të cilat nxisin kurreshtjen, pyetjet dhe bashkëbisedimin në mes të grupit.
Matematikë dhe Gjeometri
Grupmosha 3-5 vjeç, kanë një kapacitet në rritje për të mësuar konceptet e matematikës. Prandaj, për të mbështetur këtë proces, bashkë me fëmijët përdorim mundësi logjike për të zgjidhur problemet e përditshme dhe duke përdorur gjuhën të bëjmë krahasimin dhe përshkrimin e objekte dhe formave.
Aktivitetet në këtë fushë, poashtu kanë për synim t’i ndihmojnë fëmijët të njohin dhe dallojnë numrat, të bëjnë numërimin, të njohin format gjeometrike, njohjen e sasisë, madhësisë, gjatësisë dhe matjeve. Në mënyrë që fëmijët të krijojnë çasje pozitive ndaj shkencave dhe matematikës, përveç aktiviteve në klasë, ata angazhohen në hulumtimin e këtyre koncepteve edhe në ambiente të ndryshme, jashtë klasës dhe në disiplina të tjera.
Shkathtësi Praktike
Në këtë fushë realizojmë aktivitete që ndihmojnë fëmijët të pavarësohen në plotësimin e nevojave të tyre dhe të lehtësojmë adaptimin e tyre në sfida të përditshme. Përgjatë realizimit të aktiviteteve në këtë fushë ndihmojmë fëmijët të zhvillojë rendin, përqendrimin, koordinimin dhe pavarësinë. Poashtu, ndihmojmë fëmijët në zhvillimin e koncentrimit, përvetësimin e shkathtësive sociale, adaptimin me ambientin shoqëror, vetë-disiplinën, si dhe mirëmbajtjen e ambientit ku veprojnë. Për të realizuar këto synime, fëmijët angazhohen në: rregullimin e ambientit në klasë, vendosjen e mjeteve në vendin e tyre, veshjet, mbathjet, lidhjen e lidhëseve, mbërthimin e pullave, formimin e zarfeve (duke përdorur gërshërët për prerje të lëtrës dhe materialeve të nevojshme), varjen e rrobave, pastrimin e lodrave, hedhjen e mbeturinave në kuti përkatëse, bartjen e ujit me lugë në një distancë të caktuar, kapjen e topave të pambukut me kapëse, thurjen me gishtërinjë, ujitje dhe pastrim e luleve dhe mbledhje e gjetheve në natyrë.
Zhvillimi Shqisor, Motorik dhe Njohës
Në këtë fushë fëmijët eksplorojnë duke ndjerë dhe duke prekur. Për të mbështetur këtë proces, realizojmë aktivitete që zhvillojnë aftësitë e përceptimit shqisor të drejtë të mjedisit, pasurojnë përceptimin dhe përvojën shqisore të fëmijëve, zhvillojnë ndjeshmërinë dhe imagjinatën krijuese, zhvillojnë potencialet dhe prirjet individuale të fëmijëve, dhe nxisin kurreshtjen kërkuese. Në grupin e këtyre aktiviteteve përfshihen: aktivitete me ngjyra, aktivitete auditive, aktivitete me prekje, aktivitete me njohje të shijeve, njohje të aromave, aktivitete vizuale (madhësia, forma, modele, përbërje) e të tjera.
Në kuadër zhvillimit shqisor, motorik dhe njohës, po ashtu ndihmojmë fëmijët që të njohin nuancat e ngjyrave dhe përfitimin e tyre, dallimin e tingujve me tone të ndryshme, dallimin e shijeve të ndryshme ushqimore, si dhe dallimin në mes të aromave.
Edukatë Fizike dhe Gjimnastikë
Përmes aktiviteteve të edukatës fizike ndihmojmë fëmijët në krijimin e shkathtësive, shprehive, dhe lëvizjeve që ndikojnë në zhvillimin e organizmit dhe shëndetit të tyre të përgjithshëm. Aktivitet në këtë fushë, ndikojmë në përmirësimin e forcës, qëndrueshmërisë, fleksibilitetit, shpejtësisë, në aftësitë konative dhe kognitive, si dhe në aftësitë funksionale të fëmijëve. Aktivitetet për fëmijë organizohen në formë argëtuese përmes: lojërave, ecjeve, kërcimeve dhe vrapimeve. Ndërsa, përgjatë orëve të gjimnastikës, fëmijët realizojnë aktvitete në formën e ushtrimeve të cilat kërkojnë fuqi të lehtë fizike, lakueshmëri, shkathtësi dhe koordinim. Aktivitetet që i përkasin gjimnastikës artistike realizohen në formë të ushtrimeve me tapetë, ekuilibër, ushtrime në dysheme, kërcim, vrapim, precizitet, fleksibilitet etj. Poashtu në fushën e gjimnastikës përfshihet edhe disiplina e gjimnastikës ritmike ku përfshihen aktivitetet me top, me shirit, me rreth dhe me litar.
Art Figurativ
Përmes artit figurativ synojmë të nxisim të menduarit estetik mbi ambientin, të ndihmojmë zhvillimin e përceptimit të formave, hapësirës dhe dukurive natyrore, nxitjen për krijime artistike dhe zhvillimin e kreativitetit. Brenda kësaj njësie realizimi i aktiviteteve përfshin vizatimin, pikturimin, si dhe realizimin e punimeve me brushë, me gishtërinjë, me shpuzë, e materiale të tjera të improvizuara. Përveç arritjes së synimeve të lartëshënuara, aktivitetet në fushën e artit figurativ, ndihmojnë fëmijët edhe në koordinimin e muskujve dhe stimulojmë praktikimin e të menduarit duke eksperimentuar me ngjyra, cilësi dhe dizajn.
Teatër
Përmes shfaqjeve teatrale së bashku me fëmijët e grupit, ngjarjet, përrallat dhe tregimet e ndryshme i ofrojmë në një formë më reale për ta. Fëmijëve iu mundësohet të përvetësojnë ngjarjet dhe sfidat, të rrisin vetbesimin në komunikim para grupit, dhe të mësojnë të shqiptojnë lirshëm fjalët dhe shprehjet. Qëllimi ynë është që përmes këtyre aktiviteteve të frymëzojmë interesimin e fëmijëve në artet interpretuese.
Edukatë Muzikore
Për eksplorimin e arteve krijuese, me fëmijët në këtë moshë dëgjojmë muzikë, luajmë në intrumente muzikore dhe këndojmë këngë për fëmijë. Aktivitetet e kësaj fushe përfshijnë lloje të ndryshme të vallëzimit dhe lëvizjeve ritmike. Fëmijët njihen me instrumente muzikore për të zhvilluar marrëdhënie kuptimplote me muzikën duke identifikuar kohën, zhurmën dhe kohëzgjatjen muzikore.
Kulturë
Përmes fushës së kulturës fëmijëve iu ofrojmë njohuri për familjen dhe shoqërinë. Përgjatë aktiviteteve bëjmë krahasime të kulturave nëpër periudha të ndryshme. Këto aktivitete realizohen përmes fotografive, tregimeve dhe ilustrimeve, e poashtu plotësohen me luajtje të roleve, punime të veshjeve reale dhe me pregatitje të ushqimeve të ndryshme varësisht nga kultura për të cilën mësojmë. Aktivitetet që realizojmë në këtë fushë përfshijnë progresin e njerëzimit, qytetërimet, vendbanimet, veshjet, veglat e punës, duke i ndërlidhur dhe krahasuar ato me kohët moderne. Brenda kësaj njësie përfshihen edhe mënyra e rregullt e sjelljes në familje, në grup shoqëror dhe mësimi i shprehjeve edukative (si p.sh. të lutem, më fal dhe faleminderit).