Fëmijët e moshës 1 deri në 3 vjeç në Kids Academy Junior zhvillojnë gradualisht lëvizjet e pavarura e të sigurta, komunikimin si dhe formimin emocional të tyre, në harmoni me fëmijët e tjerë bashkëmoshatarë dhe duke u bazuar në çasjen Montessori.

Lëndët dhe Programi

Në këtë fushë me fëmijët e grupmoshës 1-3 vjeç realizohen aktivitete që stimulojnë zhvillimin e aftësive gjuhësore dhe formimin e fjalëve dhe komunikimit. Fëmijët inkurajohen të mësojnë fjalë të reja, të përmirësojnë shprehjet gjuhësore dhe fjalët ende jo të plota.

Fëmijëve rregullisht u lexohen tregime, dhe ata mësohen të përdorin librin në mënyrë të pavarur. Fëmijët mësohen të bëjnë identifikimin e objekteve e koncepteve te reja, dhe njëkohësisht fjalëve të reja, duke i interpretuar idetë e imazhet e paraqitura dhe duke emërtuar objektet në klasë. Në këtë fushë, fëmijëve iu lexohen libra me tematika të përshtatshme për grup-moshën 1-3 vjeç, të shoqëruar me ilustrime dhe me fotografi.

Aktivitetet e fushës së matematikës stimulojnë fëmijët në ndërtimin e objekteve nga pjesë të vogla, gjithnjë duke e rritur nivelin e vështirësisë.

Për të ngritur nivelin e njohurive për konceptet themelore të fushës së matematikës dhe gjeometrisë, fëmijët ndihmohen në numërimin nga 1 deri në 10, përdorimin e shprehjeve “më shumë” ose “më pak”, gjetjen e objekteve të fshehura, dallimin e formave të njëjta, grumbullimin e objekteve sipas madhësisë ose ngjyrës, plotësimit e “puzzles” të thjeshta, eksplorimin e sasisë (duke mbushur enët me ujë ose rërë), kuptimin e madhësisë së objekteve (e madhe, e vogël) etj.

Për zhvillimin e shkathtësive praktike realizohen aktivitete që ndihmojnë fëmijët të plotësojnë nevojat e tyre në mënyrë të pavarur si dhe të adaptohen në sfida gjatë rritjes. Me aktivitete të posaçme në këtë fushë, fëmijët i ndihmojmë në mbajten e rendit, koordinimin dhe pavarësinë. Fëmijët inkurajohen që të bëjnë në mënyrë të pavarur veshjen/zhveshjen e rrobave, mbathjen/zbathjen e këpucëve, vendosjen e mjeteve të punës në këndin e caktuar, praktikimin e të ushqyerit të pavarur, pastrimin e duarve, tharjen e duarve, përdorimin e tualetit, mirëmbajtjen e higjienës personale dhe asaj në klasë. Fëmijët përvetësojnë shkathtësi për adaptim me ambientin shoqëror, vetë-disiplinën, si dhe mirëmbajtjen e rregullit në ambientin ku veprojnë.

Programi për këtë fushë përkrahë fëmijët në zhvillimin e përceptimit shqisor të drejtë të mjedisit, pasurimin e përceptimit dhe përvojës shqisore, zhvillimin e ndjeshmërisë dhe imagjinatës krijuese, potencialet dhe prirjet individuale, si dhe nxitjen e kurreshtjes kërkuese. Në kuadër të fushës senso-motorike zhvillojmë aktivitete auditive (dëgjimin e këngëve, instrumenteve, tingujve nga goditja e enëve ose tundja e objekteve që lëshojnë tinguj), aktivitete me prekje (prekje e materialeve të ndryshme, të lëmuara, të buta, të forta etj.), aktivitete me njohje të shijeve (shijim i ushqimeve të ëmbla, të njelmëta etj.), njohje të aromave (dallim të aromave të frutave, perimeve ose luleve), aktivitete vizuele (me madhësi të objekteve, forma të tyre, ngjyrosje, aktivitete për dallimin e ngjyrave) etj.

Aktivitetet e edukatës fizike në Kids Academy formojnë dituri, shkathtësi dhe shprehi lëvizjeje që ndikojnë në zhvillimin e organizmit të fëmijëve. Ato ndikojnë në përmirësimin e forcës, qëndrueshmërisë, fleksibilitetit, shpejtësisë, në aftësitë konative dhe kognitive, si dhe në aftësitë funksionale. Aktivitetet për fëmijë organizohen në formë argëtuese përmes: lojërave, ecjeve, kërcimeve, vrapimeve etj. Aktivitete të tjera të përfshira në këtë fushë janë: ecja në vijë të drejtë, ecja në vijë të lakuar, kërcimi në hapësira të caktuara, ngjitja, rrëshqitja, loja me top, vrapimi, lojëra me ujë, lojëra me topa me ngjyra, lojë në formë labirinti etj.

Në fushën e Gjeografisë dhe Shkencës realizojmë aktivitete që stimulojnë kuriozitetin për objekte të panjohura, për ngjarje dhe fenomene. Poashtu stimulojmë fëmijët të hulumtojnë se si lëvizin objektet duke i shtyrë, duke i tërhequr, duke rënë, e hedhur, si dhe praktikojmë përcjelljen e lëvizjes së njerëzve dhe gjërave në jetën e përditshme.

Poashtu  në kuadër të kësaj fushe, i ndihmojmë fëmijët të mësojnë për lloje të kafshëve, jetesën e tyre, lloje të bimëve, njohjen e frutave dhe perimeve, emërtimin e pjesëve trupore etj.  Realizohen edhe aktivitete për njohjen me ditët e javës, muajt e vitit, ndryshimet e motit etj. Poashtu, fëmijët mësojnë njëkohësisht për karakteristika të dukurive, si ngjyra, tinguj etj.

Përmes artit figurativ synojmë të nxisim në mënyrë të vazhdueshme të menduarit estetik mbi ambientin, të ndihmojmë zhvillimin e përceptimit të formave, hapësirës dhe dukurive natyrore, nxitjen për krijime artistike dhe zhvillimin e kreativitetit.  Fëmijët e kësaj grupmoshe në fushën e artit stimulohen të vizatojnë në letër dhe të ngjyrosin me ngjyra sipas preferencës së tyre (ngjyra të drurit ose të ujit), e të poashtu krijojnë përmes letrës, gjetheve, shkopinjëve ose materialeve të tjera të improvizuara.

Në kuadër të programit për kulturë, bashkë me fëmijët realizojmë aktivitete përmes së cilave diskutojmë për vetën, dhe shoqërinë.  Këto aktivitete realizohen në forma të ndryshme. Ato shfaqen përmes fotografive, tregimeve dhe ilustrimeve, luajtjen e roleve dhe realizimin e punimeve të veshjeve nga kultura të ndryshme. Po ashtu, në vazhdimësi ndihmojmë fëmijët në përvetësimin e rregullave të mirësjelljes në familje dhe në shoqëri, kujdesin ndaj vetës, dhe  tjetrit, dhe përdorimin e shprehjeve adekuate komunikuese.

Në fushën e edukatës muzikore, realizojmë aktivitete që bëjnë dallimin e tingujve përmes këndimit dhe krijimit të këngëve origjinale përmes instrumenteve në klasë. Fëmijët e kësaj grupmoshe luajnë instrumente të thjeshta ritmi për të mësuar kontrollimin e ritmit, diferencimin e tingujve dhe vallëzimin ritmik. Realizimi i aktiviteteve në këtë fushë përfshijnë shoqërimin e muzikës me ecje, kërcim, lëkundje, duartokitje, lojëra ritmike, këngë në gjuhën shqipe dhe këngë në gjuhë të huaj (angleze) etj.